Një aksident rrugor ka ndodhur në magjistralen Pejë-Mitrovicë të enjten, në fshatin Gurrakoc, ku një kombibus me nxënës është përplasur me një veturë, dhe si pasojë janë lënduar 14 persona.

Nga këta persona, 12 janë nxënës dhe 2 janë shoferët e automjeteve.

Fadil Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës, e ka konfirmuar rastin për Dukagjinin, duke bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:07.

Dy veturat e përfshira në aksident janë një kombibus shkollor dhe një veturë private.

Personat e lënduar janë transportuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, dhe më pas janë dërguar në Emergjencën e Spitalit rajonal të Pejës për trajtim të mëtejshëm.

“Sot rreth orës 13:07, Policia është njoftuar për një aksident në magjistralen Pejë – Mitrovicë, konkretisht në fshatin Gurrakoc. Më të marrë lajmin, Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, një veturë dhe një kombibus me nxënës”, ka thënë Gashi.

Gashi ka njoftuar se pas kontrolleve mjekësore, të gjithë personat e përfshirë në aksident janë lënduar, përveç një nxënësi, i cili vazhdon të trajtohet në spital.

“Pas kontrolleve dhe tretmanit mjekësor që u është bërë personave të lënduar, sipas mjekut kujdestar, të gjithë personat e përfshirë në aksident janë lënduar, përveç një nxënësi i cili po vazhdon të trajtohet në këtë spital”, ka deklaruar Gashi.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se njëri nga shoferët është shoqëruar në njësi hetimore për të dhënë intervistën e tij si i dyshuar për shkaktimin e aksidentit, në zbatim të urdhrit të prokurorit.