Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të të 2 korrikut në fshatin Treboviq të Pejës.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 00:02 është raportuar për një vetaksident trafiku, ku si pasojë një mashkull kosovar, i cili ndodhej si pasagjer në veturë, ka humbur jetën.

Dy persona të tjerë – shoferi dhe një pasagjer tjetër – kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nga të dhënat e para të hetimeve, dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

“Fsh. Treboviq, Pejë / 02.07.2025 – 00:02. Raportohet se ka ndodhur vet aksident trafiku, ku si  pasojë një mashkull kosovar (pasagjer në veturë) ka humbur jetën, ndërsa dy meshkuj tjerë kosovarë (shoferi dhe një pasagjer tjetër) kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës”, thuhet në raportin e PK-së.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.