Një aksident trafiku me dëme materiale është raportuar më 29 prill në rrugën “Kral Petri”, pranë urës së hekurit në Zveçan.

Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë dhe mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

“Më datën 29.04.2025 rreth orës 17:45, Policia është informuar për një aksident trafiku në rrugën “Kral Petri”, përkatësisht tek ura e hekurit në Zveçan. Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Sipas hetimeve të para, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë dhe mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, Z.V., 22 vjeç, ka humbur kontrollin mbi automjetin me targa te huaja dhe është rrokullisur. Fatmirësisht, nga ky aksident nuk është raportuar për persona të lënduar.

Lidhur me rastin, ura ka qenë e bllokuar për një periudhë kohore, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Pas ndërhyrjes së autoriteteve përkatëse, ura është liruar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet.

Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit rrugor. Çdo pakujdesi në vozitje mund të rrezikojë jetën tuaj dhe të të tjerëve. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftim.