Aksidentet, Shala: Struktura e Policisë në trafik duhet të ndryshohet
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, lidhur me aksidentet e shumta në komunikacion, ka thënë se Policia e Kosovës duhet të ndryshojë tërësisht diskursin dhe strukturën në trafik. Shala i ftuar në emisionin FIVE, ka thënë se Policia e Kosovës duhet të ketë më shumë pjesëtarë të policisë së trafikut, pasi, sipas tij, është një numër […]
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, lidhur me aksidentet e shumta në komunikacion, ka thënë se Policia e Kosovës duhet të ndryshojë tërësisht diskursin dhe strukturën në trafik.
Shala i ftuar në emisionin FIVE, ka thënë se Policia e Kosovës duhet të ketë më shumë pjesëtarë të policisë së trafikut, pasi, sipas tij, është një numër shumë i vogël i zyrtarëve që janë të specializuar në aksidente, sa i përket çështjeve të trafikut.
“Mendoj që duhet të ndryshohet komplet diskursi dhe struktura e Policisë së trafikut, pra duhet të kemi më shumë pjesëtarë të policisë së trafikut, pasi ka një numër shumë të paktë të zyrtarëve që janë të specializuar në aksidente”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur se çdo fillim vit, Policia zhvillon një fushatë ku aktivizon të gjitha strukturat, përkatësisht njësitet e qarkullimit rrugor, për të qenë në vendet më kyçe ku shkak i aksidenteve është gjithmonë shpejtësia.
Por, në këtë aspekt, ai ka thënë se çdo vit, pra ka një plan operativ, që përderisa ky plan operativ mbahet aktiv, ka një ulje drastike të aksidenteve me fatalitet.
Ndërkaq, ai ka thënë se në momentin që po mënjanohet dhe po lihet anash ky projekt apo kjo fazë e caktuar nga ana e Policisë së Kosovës, atëherë po ka rritje të aksidenteve.
Kujtojmë se aksidenti i fundit me fatalitet i ndodhur në Kosovë ishte më 22 shkurt, ku katër persona humbën jetën në magjistralen Ferizaj-Shtime.















