Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Ferizaj, ka arrestuar pesë persona të dyshuar pas një hetimi disa mujor lidhur me disa vepra penale.
Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar sot, në koordinim me Prokurorinë kompetente dhe njësitë relevante policore, ku janë kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës.
Gjatë kontrolleve janë siguruar prova dhe dokumente të ndryshme, të cilat dyshohet se lidhen me një skemë të falsifikimit të dokumenteve për prona në një fshat të Ferizajt.
Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim, duke paraqitur persona të caktuar si pronarë të parcelave.
“Lidhur me rastin janë kryer kontrolle me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive ku janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin arritur të falsifikojnë dokumente duke paraqitur si pronarë të disa parcelave që gjenden në një fshat në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Njëri nga të arrestuarit dyshohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa katër të tjerët për “falsifikim të dokumenteve”, “legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me vepër penale”.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.