Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë po zhvillon të enjten një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Panifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, deri tani nga ky aksion janë arrestuar tri zyrtare të kësaj Ministrie.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi se aksioni po zhvillohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, tha ai.

Aksioni është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë në kuadër të veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje”, konfirmoi Shala.

Ndryshe, gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, Policia më 29 maj arrestoi 11 të dyshuar për keqpërdorime me patentë shoferë.  /BetimipërDrejtësi