Një aksion i partisë opozitare joparlamentare PSD-së ka nxitur reagime të një institucioni shtetëror.

Agjencia për Informim dhe Privatësi  (AIP) po e quan shkelje të ligjit këtë aksion në oborrin e Qeverisë së Kosovës, ku PSD-ja vendosi të printuara të dhënat e rreth 200 mijë kosovarëve që dhanë nënshkrimet e tyre në peticionin kundër Asociacionit në 2015.

Aty pos emrit e mbiemrit, përfshihen edhe numrat personalë të të gjithë nënshkruesve.

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku shpjegon edhe gjobat që mund të shqiptohen në raste të tilla.

“Mbi bazën e të dhënave vendosim a janë shkel parimet e të drejtave të të dhënave. Nëse gjendet së shkelja është bërë,  atëherë Agjencia del më vendim përfundimtarë dhe Agjencia shqipton gjoba. Gjobat që janë të parapara për këto raste janë nga 20 mijë euro deri në 40 mijë dhe kjo është ajo që ne e bëjmë. Jemi institucion për ta mbikëqyrur këtë ligj dhe për të mbrojtur qytetarin”, ka thënë Sogojeva-Dërmaku

Por, PSD-ja po e kundërshton këtë duke arsyetuar veprimin e tyre.

“ Njerëzit e kanë dhënë nënshkrimin për me kundërshtu Asociacionin, jemi të bindur se njërit kur e kanë dhënë atë nënshkrim e kanë dhënë kundër Asociacionit dhe ne nuk e kemi përdor për asgjë tjetër. Agjencia mundet veç me marr veprime por ajo nuk vendos se çka është e çka nuk është e drejtë”, ka thënë Zgjim Hyseni nga PSD.

Publikimi i të dhënave nga peticionet është i ndaluar me ligj ndërkaq ato që u vendosen te Qeveria e Kosovës të martën janë larguar nga aty.