Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pesë persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për përfshirje në veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Operacioni është realizuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione të tjera.
Të ndaluarit janë identifikuar me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH. dhe M.B., ndërsa dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumentit” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda- Njësiti për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik, se sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe në disa lokacione te tjera, ku janë ndaluar për 48 orë pesë (5) persona me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH., dhe M.B.
Të dyshuarit, dyshohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i Detyrës apo Autoritetit Zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale ‘’Falsifikimi i Dokumentit’’ nga neni 390 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’ sipas nenit 395 të KPRK-së.
Sipas Prokurorisë, dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966 për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pronë. Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka krijuar dokumente fiktive për të mundësuar legalizimin e saj, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar regjistrimin e pronës në mënyrë të paligjshme.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e masës së sigurisë në procedurë penale ndaj të pandehurve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.