Aktakuza për policin serb në Istog, i akuzuar për krime lufte e dhunim seksual
6 muaj pasi Prokuroria Speciale e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj Grujica Veljoviq, për krime lufte Gjykata ka publikuar aktakuzën e ftesën për gjykim ndaj tij. Pas propozimit nga prokuroria për gjykim në mungesë, gjykata publikoi aktakuzën e redaktuar meqë Veljoviq akuzohet edhe për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë. Ai ishte polic në komunën e […]
6 muaj pasi Prokuroria Speciale e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj Grujica Veljoviq, për krime lufte Gjykata ka publikuar aktakuzën e ftesën për gjykim ndaj tij.
Pas propozimit nga prokuroria për gjykim në mungesë, gjykata publikoi aktakuzën e redaktuar meqë Veljoviq akuzohet edhe për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.
Ai ishte polic në komunën e Istogut gjatë luftës, e veprat penale dyshohet se i ka kryer në bashkëkryrje.
“I pandehuri G,V me datë …. në Istog, në cilësinë e policit në Stacionin Policor në Istog, në bashkëkryerje me persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, përkatësisht neni 3 i përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949 duke kryer dhunim seksual, ndaj një femër të nacionalitetit shqiptar, me çka në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale Krimet e luftës kundër popullatës civile…”
Gjykata themelore në Prishtinë, i ka bërë thirrje të njëjtit që të dorëzohet ose të paraqitet në shqyrtimin fillestar, të cilën e ka caktuar në shtator të këtij viti.
“Në pajtim me nenin 303, paragrafi 8, të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurën Penale të Republikës së Kosovës (në vijim: KPP), Gjykata i bën thirrje të akuzuarit Grujica Veljoviq që të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj Gjykatë, në mënyrë që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar si më sipër.”
Gjykimi në mungesë gjatë javës tjetër pritet të nisë edhe ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës, që është ndër masakrat më të mëdha që ka ndodhur në Kosovë, gjatë luftës.
Pas ndryshimeve në Kodin e procedurës penale, që nga viti 2023 në Kosovë zhvillohet gjykimi në mungesë, për krime të luftës.















