Aktakuzat në mungesë – një hap drejt dokumentimit të krimeve të luftës

Njohësit e çështjeve të drejtësisë, vlerësojnë se aktakuzat në mungesë janë efektive për dokumentimin e krimeve të luftës dhe se përveç aspektit ndëshkues do të përmbushen qëllimet tjera të dënimit, si sjellja e drejtësisë ndaj viktimave dhe kompensimi i tyre

Pllakë përkujtimore në Shtuticë të Drenasit

Ditëve të fundit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza në mungesë kundër të pandehurve Ç.A. dhe D.R, G.P, të dyshuar për krime lufte në Kosovë, më 1999 – dhe paralajmëroi se do të ngrejë edhe të tjera.

Këto janë tri aktakuzat e para në mungesë për krime lufte në Kosovë, pasi deri vonë Kodi i Procedurës Penale nuk i ka lejuar të tillat.

Në njoftimin e prokurorisë thuhej se “I akuzuari Ç.A, në periudhën kohore janar – maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të paidentifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake ka kryer veprën penale ‘Krim i luftës kundër popullsisë civile'”.

Ndërkaq të pandehurit me inicialet D.R dhe G.P janë akuzuar për veprën penale të dhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria tha se ka kërkuar nga gjykatësit që gjykimi i të dyshuarve të zhvillohet në mungesë, pasi “janë shterur mundësitë” për gjetjen e tyre.

Në lidhje me efektin e këtyre aktakuzave në mungesë, avokatja, Sarandë Beqiri në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se kanë efektin sikurse çdo aktakuzë tjetër.

“Një aktakuzë në mungesë të pandehurit që supozohet se ka kryer vepra penale nga e Drejta Humanitare, e Drejta Ndërkombëtare Penale, apo hetimi penal i përfunduar në mungesë, ka efektin e njëjtë si në çdo rast tjetër, në kuptim që nuk ka as një pengesë procedurale që të zhvillohet një procedurë sipas kësaj aktakuze në gjykatat kompetente të Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Beqiri ka theksuar se kjo mundësi ligjore është e kohës së fundit dhe atë pas ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, kur për gjykimin në mungesë për një kategori të caktuar të veprave penale, (vepra penale kundër të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe të Drejtës Ndërkombëtare Penale, në periudhën janar 1990 deri në qershor 1999), është bërë një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm i legjislacionit të vendit.

Sipas saj, këto efekte nuk janë vetëm në aspektin juridik por edhe në atë social.

“Pas këtyre ndryshimeve është krijuar mundësia e gjykimit në mungesë edhe për vepra tjera, pa kufizim. Përveç efekti juridik, që kryerësit e veprave penale duhet të vihen para drejtësisë, për një gjykim të drejtë dhe në fund të procedurës të vendosët për fajësinë apo jo, për shoqërinë tonë, dhe veçanërisht të prekurit direkt nga krimet e luftës efekti është edhe në rehabilitimin social dhe nevojën që krimet e luftës të mos mbesin të pa gjykuara”, ka vijuar ajo.

Arsyeja që pse deri më tash nuk ka pasur aktakuzë në mungesë, Beqiri ka thënë për shkak se legjislacioni në fuqi i Kosovës nuk e ka njohur institutin e gjykimit në mungesë.

Por siç theksoi avokatja, kjo nuk ka qenë pengesë që organet përkatëse të punojnë në mbledhjen dhe sigurimin e provave për të dëshmuar krimet e luftës.

“Deri në ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, arsyeja e mungesës ka qenë vetëm procedurale, ka qenë për shkak se legjislacioni në fuqi në Kosovës nuk e ka njohur institutin e gjykimit në mungesë, edhe pse shumica e vendeve e aplikojnë këtë, sigurisht pasi të plotësohen kushtet e caktuara për të vepruar në këtë mënyrë. Mirëpo kjo nuk ka qenë pengesë që organet përkatëse përmes formave të ndryshme, të punojnë në këtë drejtim në mbledhjen dhe sigurimin e provave për të provuar krimet e luftës”.

Se cilat janë mangësitë e gjykimit në mungesë, Beqiri ka përmendur ballafaqimin fizik me faktet dhe provat konkrete.

“Pavarësisht që gjykimi në mungesë ka disa mos të quajmë mangësi por më shumë vështirësi, në kuptimin që personi kyç nuk mund të ballafaqohet me faktet dhe provat konkrete për të pasur një pasqyrim sa më të qartë të gjendjes faktike, si në çdo proces gjyqësor edhe atij në mungesë, në fund gjykata nxjerrë një epilog për një ngjarje konkrete, konfirmohen veprime, fakte, prova, apo edhe identifikimi i personave konkretë, nga ku provohet të vërtetat, me ç’rast familjarët e të prekurve përveç satisfaksionit shpirtëror, ju njihet e drejta e kompensimit të dëmit të pësuar”, ka theksuar Beqiri.

Për të, gjykimi në mungesë nuk ka as një përjashtim apo kufizim për sa i takon llojit të aktgjykimit që mund të nxirret.

“Pas përfundimit të veprimeve procedurale të propozuar nga palët apo edhe ato që gjykata vendosë t’i trajtojë zyrtarisht, del me një vendim i cili mund të jetë edhe dënues. Në këtë pikë vlen të theksojmë se te gjykimi në mungesë, kur i pandehuri përgjigjet dhe i nënshtrohet pasojave të ekzekutimit të aktgjykimit të gjykatës, në afatin prej 2 vitesh mund të kërkojë rigjykim për rastin e gjykimit në mungesë”.

Eranda Zekaj, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se ngritja e aktakuzave në mungesë për krime lufte në Kosovë krijon efekte të shumta drejt dokumentimit të atyre krimeve.

Kështu, në drejtim të sigurimit të llogaridhënies dhe luftimit të mosndëshkueshmërisë, sipas Zekajt, aktakuzat në mungesë sigurojnë grumbullimin e provave dhe gjykimin drejt nxjerrjes së një aktgjykimi dënues.

“Tradicionalisht, një gjykim në mungesë është një hap drejt përgjegjësisë, por nuk është qëllim në vetvete. Në këtë drejtim, përveç aspektit ndëshkues do të përmbushen qëllimet tjera të dënimit si sjellja e drejtësisë ndaj viktimave dhe kompensimi i tyre, si dhe dhënia fund e kulturës së mosndëshkimit të krimeve të rënda. Në parim, moslejimi i të akuzuarit për të vonuar ose shmangur drejtësinë përmbush të gjitha këto synime”, ka thënë Zekaj.

Ajo ka theksuar se krimet e luftës deri më tani nuk kanë gjetur trajtimin adekuat për ndëshkueshmërinë e kryerësve të këtyre veprave dhe se në këtë mënyrë, sipas saj, Kosova me mosveprim në mënyrë sistematike ka ofruar amnisti të plotë për krimet e luftës.

“IKD gjatë analizimit të performancës së sistemit kosovar të drejtësisë në trajtimin e Krimeve të Luftës, ka analizuar në mënyrë të detajuar punën e sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Prej nga është identifikuar se një ndër sfidat kryesore lidhur me hetimin e këtyre krimeve ishte mungesa e prokurorëve, por edhe mungesa e bashëkpunimit juridik ndërkombëtar në mes dy shteteve. Ndonëse ky dështim i atribouhet edhe mungesës së vullnetit politik drejt hetimit, ndjekjes dhe gjykimit të krimeve të luftës në Kosovë”, ka vijuar ajo.

Për të, gjykimi në mungesë ka disa përparësi në raport me krimet e luftës, mirëpo zbatimi i të njëjtit do të jetë sfidues.

Sipas saj, ani pse aspekti ndëshkues i dënimit është vështirë i realizueshëm, zbardhja e krimeve është shumë e rëndësishme për familjarët e viktimave teksa ka shtuar se në këtë drejtim, të njëjtit do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit nga fondi për kompensimin e viktimave të krimit, sipas procedurës së paraparë.

“Injorimi i gjykimit të këtyre krimeve dhe mos gjykimi i kryerësve të këtyre veprave, krijon përshtypjen se kryerësi po shpërblehet për arratisjen e tij. Andaj, edhe pse aspekti ndëshkues i dënimit është vështirë i realizueshëm, zbardhja e krimeve dhe e vërteta, është tejet e rëndësishme për familjarët e viktimave. Në këtë drejtim, të njëjtit do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit nga fondi për kompensimin e viktimave të krimit, sipas procedurës së paraparë”.

Ndryshe, Prokuroria e Kosovës ka ngritur disa akuza për krime lufte në Kosovë kundër të të dyshuarve të nacionalitetit serb, por edhe shqiptar.

Disa kanë marrë epilog, të tjerat janë në proces.

Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998/99 pas fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe.

Mbi 13 mijë civilë besohet se janë vrarë në luftë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1 mijë e 600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika