Aktakuzë ndaj 12 personave në Pejë për dallavere me patentë shoferë dhe ryshfet në auto-shkolla

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave për keqpërdorime në procesin e pajisjes me patentë shoferë në Pejë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Manipulim me prova”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti”.

Aktakuza prej 391 faqesh përfshin zyrtarë të Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, ekzaminues të pjesës teorike dhe praktike, si dhe përfaqësues të auto-shkollave të ndryshme.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri A.Sh., në cilësinë e koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, dyshohet se gjatë viteve 2021-2024 ka organizuar në mënyrë të kundërligjshme mbajtjen e provimeve teorike, duke mundësuar testimin e kandidatëve që nuk figuronin në listat zyrtare dhe pa koordinim me institucionet përgjegjëse.

Ndërkaq, i pandehuri R.S. dyshohet se ka ndërmjetësuar në dhënien e ryshfetit nga përfaqësues të auto-shkollave, ku shumat sipas aktakuzës varionin nga 300 deri në 1 mijë euro, me qëllim të kalimit të kandidatëve në testet teorike dhe praktike.

Sipas aktakuzës, A.Sh., T.Sh. dhe R.S. dyshohen edhe për “Manipulim me prova”, pasi më 17 nëntor 2023 thuhet se kanë vepruar në bashkëkryerje në zyrën e koordinatorit të Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë.

Po ashtu, T.Sh. dhe M.S., në cilësinë e pyetëseve të pjesës teorike, dyshohet se u kanë mundësuar kandidatëve kalimin e testeve duke treguar përgjigjet e sakta dhe duke lejuar testime pa dokumentacion të kompletuar.

Sipas Prokurorisë, edhe zyrtari administrativ L.G. dyshohet se ka lejuar paraqitjen e kandidatëve në provime me dosje të pakompletuara dhe nuk ka regjistruar dhjetëra kandidatë në librat përkatës.

Ndërsa, ekzaminuesit e pjesës praktike B.K. dhe N.D. akuzohen se kanë organizuar testime praktike jashtë orarit zyrtar dhe në kundërshtim me udhëzimet administrative, duke mundësuar kalimin e kandidatëve pa përmbushur kriteret ligjore.

Prokuroria thotë se si rezultat i këtyre veprimeve, disa auto-shkolla kanë përfituar avantazh të padrejtë konkurrues në treg.

Të pandehurit M.I., D.T. dhe M.D. akuzohen për “Dhënie ryshfeti” dhe “Legalizim të përmbajtjes së rreme”, ndërsa B.B. dhe F.B. për “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Të fundit nga rubrika