Aktakuzë ndaj 6 personave për rastin e grabitjes së argjendarisë në Suharekë
Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në një grabitje të armatosur që ndodhi më 22 nëntor 2023 në një argjendari në Suharekë. Të pandehurit me inicialet K.G., B.B., dhe B.I., sipas Prokurorisë, akuzohen për veprën penale “Grabitja”, ndërsa B.B. dhe B.I. […]
Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në një grabitje të armatosur që ndodhi më 22 nëntor 2023 në një argjendari në Suharekë.
Të pandehurit me inicialet K.G., B.B., dhe B.I., sipas Prokurorisë, akuzohen për veprën penale “Grabitja”, ndërsa B.B. dhe B.I. veçmas edhe për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Gjithashtu, L.C. dhe T.B. akuzohen për “Ndihmë në kryerjen e grabitjes”, ndërsa T.B. edhe për posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, më 22 nëntor 2023, rreth orës 15:45, të pandehurit K.B., B.B., dhe B.I., të armatosur dhe të maskuar, së bashku me të ndjerin D.G., kryen grabitjen në argjendarinë “D.” në Suharekë.
Njëri nga të dëmtuarit, A.B., u kërcënua me armë dhe u lidh brenda objektit, ndërsa të pandehurit thyen vitrinat dhe morën stoli në peshë prej 3 kilogramë e 71 gram.
Në momentin e daljes nga objekti, i pandehuri B.B. që ndodhej jashtë, qëlloi me armë në drejtim të policisë për të siguruar ikjen.
Grupi u largua fillimisht në drejtim të fshatit Budakovë, ku ndërruan automjetin dhe më pas u drejtuan për në Prishtinë. Stolitë e arit u dorëzuan në argjendarinë “B.” të menaxhuar nga T.B., i cili dyshohet se ndihmoi në fshehjen dhe më vonë zhdukjen e tyre.
L.C. dhe T.B. dyshohen se kishin dijeni paraprakisht për grabitjen dhe kishin premtuar ndihmë për fshehjen e provave dhe stolitë e vjedhura. T.B. kishte fshehur arin në kasafortën e tij dhe më pas e kishte dërguar në drejtim të panjohur.
Sipas Prokurorisë, grabitja ka shkaktuar dëm financiar në vlerë 133,711.34 euro. Prokurori i çështjes ka kërkuar dënimin e të pandehurve dhe konfiskimin e përhershëm të mjeteve të përdorura dhe atyre të përfituara nga vepra penale, përfshirë: Armë të kalibrave të ndryshëm, fishekë, karikatorë, stoli ari me peshë totale prej 2.4 kilogramë, stoli argjendi dhe bizhuteri, para të gatshme në shumën 3,178.58 euro, automjete dhe telefona të ndryshëm.
Dy prej të dyshuarve ishin lokalizuar nga policia në lagjen “Arbëria” në Prishtinë gjatë një aksioni për arrestimin e tyre. Gjatë këtij operacioni, pati përplasje me armë zjarri, ku njëri prej të dyshuarve u vra dhe një polic u plagos.
Hetimet janë përmbyllur dhe tani çështja i është dorëzuar gjykatës për shqyrtim.















