Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për një tentim vrasje në mars të këtij viti, ku një person mbeti i lënduar rëndë pas një përleshjeje fizike.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ndaj të pandehurit E.K. është ngritur aktakuzë për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa ndaj B.H. për veprën “Dhënia e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale”.

Rasti ka ndodhur më 24 mars 2024, rreth orës 02:40 të mëngjesit, kur i pandehuri E.K. është përplasur verbalisht dhe fizikisht me viktimën I.B., në një furrë buke në rrugën “Rifat Ukimeri” në Prizren.

Sipas aktakuzës, pas një konflikti të mëparshëm mes tyre, ata janë sharë dhe fjalosur, derisa janë shtyrë fizikisht, por janë ndarë nga pronari i furrës dhe i pandehuri i dytë.

Pas daljes nga lokali, dy të pandehurit janë larguar me automjet, ndërsa janë ndjekur nga viktima me veturën e tij.

Në një udhëkryq të rrugës “Gazmend Zajmi”, të dy ndalen dhe dalin nga automjetet, ku E.K., me një mjet të mprehtë – thikë, i shkakton plagë të rënda trupore I.B.-së.

Pas sulmit, dy të pandehurit largohen nga vendi i ngjarjes me automjet.

Sipas prokurorisë, B.H. e ka ndihmuar E.K.-në të shmangë arrestimin duke e transportuar drejt shtëpisë së tij, menjëherë pas ngjarjes.

Prokurori i rastit ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.