Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, me inicialet F.D. dhe B.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, F.D., në cilësinë e ministrit, dhe B.K., si ushtrues detyre i sekretarit të kësaj ministrie, akuzohen se në periudhën nga 16 gushti 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore për të favorizuar në mënyrë të paligjshme dy organizata joqeveritare: “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.

Prokuroria thekson se të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare si dhe me procedurat për financimin publik të OJQ-ve, duke shpërndarë fonde publike në mungesë të thirrjeve publike dhe jashtë kompetencave të ministrisë. Kjo formë financimi, sipas organit të ndjekjes, ka rezultuar në një dëm të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro.

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe burgim efektiv, duke theksuar se vetëm këto masa ndëshkimore do të realizonin qëllimin e dënimit sipas nenit 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.