Aktakuzë ndaj gjashtë personave në Prizren për shitblerje të narkotikëve e armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe ndaj njërit prej tyre edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka akuzuar personat me inicialet S.K., A.K., F.F., L.A., A.F. dhe D.G., për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërsa, ndaj të pandehurit A.K. është ngritur aktakuzë edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, S.K. dyshohet se më 29 janar 2026, në Suharekë, kishte poseduar marihuanë me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes. Gjatë kontrollit, janë sekuestruar 30 qese me marihuanë dhe mbetje të kësaj substance, me peshë totale rreth 26.60 gramë.

Ndërkohë, A.K. dyshohet se nga shtatori i vitit 2025 deri më 29 janar 2026 ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë. Gjatë kontrolleve, sipas Prokurorisë, janë gjetur rreth 465 gramë marihuanë, rreth 3.3 gramë kokainë, një substancë e lëngshme e dyshuar narkotike, peshore digjitale, grinder dhe 2 mijë e 200 euro.

Po ashtu, në lokalin e tij në Suharekë, A.K. dyshohet se ka mbajtur pa autorizim një pistoletë të tipit M57, një karikator dhe katër fishekë.

Edhe F.F. dyshohet se gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026 ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar një peshore digjitale dhe dy automjete që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Sipas aktakuzës, tre të tjerët, L.A., A.F. dhe D.G., duke vepruar në bashkëkryerje, dyshohet se kanë shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë në lokacione të ndryshme në Suharekë dhe më gjerë. Në një rast, sipas Prokurorisë, është sekuestruar një sasi prej mbi 300 gramë kokainë.

Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata konfiskimin e rreth 740 gramëve substanca narkotike, përfshirë mbi 400 gramë marihuanë dhe mbi 330 gramë kokainë. Gjithashtu është kërkuar konfiskimi i armës, municionit, tri automjeteve, si dhe 2 mijë e 200 eurove dhe 500 frangave zvicerane, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprat penale.

Prokuroria ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Të fundit nga rubrika