Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet N.H., i cili akuzohet për tri vepra penale, lidhur me veprimtarinë e tij gjatë kohës sa ishte zyrtar në Ministrinë e Mjedisit.
N.H. akuzohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2021-2023, N.H., në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që operatorëve ekonomikë, përkatësisht ambalazhuesve të ujit, t’u mundësonte përfitime pasurore të kundërligjshme.
Prokuroria ka njoftuar se me këto veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumën prej 15 milionë e 752 mijë e 486 euro e 7 centë.
Në aktakuzë thuhet se N.H. nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë në vlerësim nga Grupi Punues Ministror. Pas pranimit të raportit të këtij grupi, sipas Prokurorisë, ai i ka selektuar operatorët në tri grupe, me qëllim favorizimi, duke u mundësuar që detyrimet financiare të përcaktoheshin në bazë të raportimeve të tyre të paverifikuara.
Po ashtu, N.H. akuzohet se nuk i ka zbatuar vlerësimet e Grupit Punues në përcaktimin e borxheve të operatorëve ekonomikë, duke u zvogëluar atyre detyrimet financiare për shfrytëzimin e ujit.
Në kuadër të të njëjtit njoftim, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur edhe ngritjen e një aktakuze ndaj I.B., për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.