Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për përfshirje në një përleshje me armë zjarri që ndodhi më 29 janar 2025 në qytetin e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit E.K. dhe V.H. akuzohen për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa të pandehurit tjerë, A.H. dhe A.H., për “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:57 në rrugën “Tranziti i Ri”, në një parking të një pike karburanti, ku pas një përplasjeje të mëparshme mes palëve, i pandehuri E.K. ka shtënë me pistoletë në drejtim të disa personave.

Nga të shtënat, janë plagosur rëndë dy persona, ndërsa një tjetri i është rrezikuar jeta.

Sipas Prokurorisë, E.K. ka përdorur një pistoletë të llojit “TT”, kalibër 7.62 mm, të cilën e kishte në posedim në mënyrë të paligjshme.

Në të njëjtin incident, edhe i pandehuri V.H. ka shtënë disa herë me armën e tij në drejtim të E.K., duke tentuar ta privojë nga jeta.

Ndërkohë, A.H. kishte në pronësi një armë “Pietro Beretta” cal. 7.65 mm dhe e ka përdorur atë duke shtënë gjashtë herë.

I pandehuri tjetër me inicialet A.H. (i dytë), gjithashtu kishte me vete një pistoletë “TT” me shtatë fishekë, të cilën e shkrep një herë gjatë momentit kur rrëzohet për tokë.

Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që pas administrimit të provave, të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.