Aktakuzë ndaj nëntë personave për kultivimin e mbi 2,850 bimëve të kanabisit në Kliqinë dhe Sverkë
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për kultivim dhe shpërndarje të narkotikëve në fshatrat Kliqinë dhe Sverkë të Komunës së Pejës. Sipas aktakuzës, E.M., E.E., E.I., K.Q., Sh.Xh., M.Q., I.B., L.H. dhe E.H., gjatë vitit 2024, duke vepruar si anëtarë të një grupi, dyshohet […]
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për kultivim dhe shpërndarje të narkotikëve në fshatrat Kliqinë dhe Sverkë të Komunës së Pejës.
Sipas aktakuzës, E.M., E.E., E.I., K.Q., Sh.Xh., M.Q., I.B., L.H. dhe E.H., gjatë vitit 2024, duke vepruar si anëtarë të një grupi, dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me qëllim të prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, njofton Dukagjini.
Në dy parcela, sipas Prokurorisë, janë kultivuar gjithsej 2,850 bimë kanabis sativa, ndërsa nga to është siguruar mbi 1,035 kilogramë e 712 gramë narkotikë, të cilët janë sekuestruar nga Policia e Kosovës më 27 shtator 2024, gjatë zbatimit të urdhërkontrollit.
Nga hetimet, sipas aktakuzës, rezulton se të pandehurit dyshohet se kanë ndërmarrë veprime për mbjelljen, kultivimin, tërheqjen, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për sigurimin e vendeve dhe mjeteve të nevojshme për transportin e tyre.
Njërit prej të pandehurve, sipas Prokurorisë, i ishte premtuar shuma prej 15 mijë eurosh për angazhimin në kultivimin e narkotikëve.
Gjatë hetimeve, ndaj njërit prej të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1,540 euro në kartëmonedha të falsifikuara, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim të futjes në qarkullim.
Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, njëri prej të pandehurve akuzohet edhe për “Falsifikim të parasë”, ndërsa një tjetër për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjatë kontrollit, në këtë rast është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë e gjatë AK-47, së bashku me municion.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe për vepra të tjera penale.















