Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një oficeri korrektues të Qendrës Korrektuese në Dubravë, me inicialet D.Q., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor–gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në para nga një person i privuar nga liria, me qëllim që të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare.
Përmes këtyre veprimeve, ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash.
Prokuroria vlerëson se me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ta dënojë sipas ligjit. Po ashtu, është kërkuar edhe shqiptimi i dënimit plotësues, përkatësisht ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
