Aktakuzë ndaj një personi në Pejë: Dyshohet se shtiu me AK-47 ndaj tre personave, plagosi dy dhe dëmtoi Gjykatën

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj M.H., nën dyshimin e bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Me datë 17 tetor 2025, rreth orës 16:15, në rrugën ‘Miftar Zeqa’ në Pejë, i pandehuri M.H., nga hakmarrja, ka ndërmarrë veprime me qëllim të privimit nga jeta të tre personave, përkatësisht B.G., A.G. dhe B.G., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.U.”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte siguruar dy armë të gjata të tipit AK-47, dy armë të shkurtra dhe një sasi të konsiderueshme municioni, ndërsa kishte monitoruar lëvizjet e të dëmtuarve pranë Qendrës së Paraburgimit në Pejë.

“Kur të dëmtuarit ishin duke u larguar nga zona me një automjet, i pandehuri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, duke përdorur dy armë të gjata”, thuhet në aktakuzë.

Nga të shtënat me armë zjarri, sipas Prokurorisë, kanë pësuar lëndime të rënda trupore A.U., i cili ishte drejtues i automjetit, si dhe B.G., ndërsa ishte rrezikuar jeta edhe e B.G. dhe A.G.

“Po ashtu, nga të shtënat janë dëmtuar automjeti në të cilin ndodheshin të dëmtuarit, dy automjete të tjera, si dhe një xham dhe një pjesë e inventarit të Gjykatës Themelore në Pejë, pasi njëri nga fishekët ka depërtuar brenda objektit të gjykatës”, thuhet në aktakuzë.

Veprimet e të pandehurit, sipas Prokurorisë, janë ndërprerë pas intervenimit të Policisë së Kosovës, e cila kishte arrestuar M.H. dhe kishte parandaluar vazhdimin e veprimeve të tij.

Ndërkaq, M.H. dyshohet se kishte poseduar pa autorizim edhe disa armë dhe municion.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.H. ka poseduar pa autorizim dy armë të gjata, një pistoletë të llojit RPX9, një revolver të llojit DEIT, si dhe municion të kalibrave të ndryshëm, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria vlerëson se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se M.H. ka përmbushur elementet e veprave penale për të cilat akuzohet.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.

Shija e redaktorit

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Të fundit nga rubrika