Aktakuzë ndaj një personi në Prizren për aksidentin që i mori jetën një këmbësori

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj D.D., i cili ndodhet në paraburgim që nga 18 marsi 2026, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, pas një aksidenti me pasoja fatale për një këmbësor.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ngjarja ka ndodhur më 18 mars 2026 në rrugën “Wesley Clark” në Prizren.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.D., i cili gjendet në paraburgim nga data 18.03.2026 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 21 paragrafi 3 nënparagrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 18 mars 2026, në rrugën “Wesley Clark” në Prizren, i pandehuri D.D., duke drejtuar automjetin e tij dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kufizimet e parapara në atë segment rrugor, ku kufizimi ishte 40 km/h, ka lëvizur me shpejtësi prej 75 km/h para shtegut të këmbësorëve, afër rrethrrotullimit.

I njëjti ka qenë i vetëdijshëm se, si rezultat i shpejtësisë së papërshtatshme në atë pjesë të rrugës para shtegut të këmbësorëve, mund të shkaktohej pasoja e ndaluar, mirëpo lehtazi e ka pranuar mundësinë e shkaktimit të saj. Si pasojë, nga shpejtësia e lartë, ai nuk e ka vërejtur me kohë këmbësorin I.O., i cili po kalonte në shtegun e këmbësorëve, duke shkaktuar aksident trafiku me pasoja fatale për të ndjerin.

Si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, viktima ka ndërruar jetë, ndërsa sipas raportit të autopsisë, vdekja ka ardhur si rezultat i lëndimeve të rënda të shkaktuara nga aksidenti në trafik.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Të fundit nga rubrika