Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj E.K., i cili është në paraburgim që nga 13 marsi, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale,  “fajdeja”.

Sipas aktakuzës, që nga korriku i vitit 2023, E.K. ka dhënë hua para me kushte shumë të pafavorshme për personin tjetër, V.Q., duke shfrytëzuar situatën e tij të vështirë financiare, mungesën e përvojës dhe paaftësinë për të gjykuar si duhet.

Konkretisht, në korrik 2023, E.K. i dha V.Q. 5,000 euro me kamatë 15%, pra V.Q. duhej t’i kthente 6,000 euro.

Më pas, E.K. ia dha dy herë nga 10,000 euro me kamatë 20%, dhe viktima duhej t’i kthente gjithsej 24,000 euro.

Pas këtyre shumeve, V.Q. mori edhe 25,000 euro, por për shkak të vonesave në pagesë, detyrohej të paguante 40,000 euro.

V.Q. paguante gjithashtu 6,000 euro në muaj kamatë, që bëri që borxhi total të arrijë në 51,000 euro.

Përveç parave, V.Q. pranoi të blinte edhe një veturë nga E.K., që duhej ta paguante me 38,000 euro në tre muaj, me këstin e parë prej 8,000 euro. Por, edhe pse pagoi këstin, E.K. ia mori veturën me forcë dhe i kërkoi edhe 6,000 euro shtesë.

Si pasojë e këtyre marrëdhënieve, V.Q. u detyrua të shiste dy banesa për të mbuluar humbjet financiare. Totali i dëmeve financiare për V.Q. është rreth 100,000 euro, përfshirë 48,000 euro borxhin nga fajdeja.

Policia ka sekuestruar para në shumë prej: 8,985 euro, 580 franga zvicerane, 1,000 dollarë amerikanë, 17,700 lekë shqiptare, si dhe një veturë, të cilat dyshohet se janë përfitime të fituara në mënyrë të paligjshme nga kjo veprimtari.