Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.P., i cili dyshohet për tri vepra penale që lidhen me shitjen e kokainës dhe armëve.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri akuzohet se pa autorizim dhe me qëllim të shitjes ka poseduar substancë narkotike të llojit kokainë.
“Gjatë zbatimit të masave të fshehta të hetimit është regjistruar duke komunikuar për shitblerjen e narkotikëve, ndërsa gjatë bastisjes janë sekuestruar gjithsej 449.16 gramë kokainë, një peshore elektronike dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për paketimin e substancave narkotike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për këtë rast, S.P. akuzohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Prokuroria thekson se gjatë bastisjes në fshatin Mejë të Gjakovës janë gjetur armë dhe municion në posedim të të pandehurit.
“Në kundërshtim me Ligjin për Armët të Republikës së Kosovës, ka mbajtur në posedim pa autorizim një armë zjarri, municion dhe pjesë të armëve, të cilat janë sekuestruar gjatë bastisjes nga zyrtarët policorë”, thuhet në aktakuzë.
Ai akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Po ashtu, Prokuroria pretendon se S.P. është marrë edhe me shitjen dhe ndërmjetësimin e shitjes së armëve dhe municionit.
“Dyshimet mbështeten në provat e siguruara gjatë zbatimit të masave të fshehta të hetimit dhe nga ekzaminimi i telefonit të tij, përmes të cilave është dokumentuar komunikimi lidhur me shitjen dhe ndërmjetësimin e armëve”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka propozuar konfiskimin e dy automjeteve, një Volkswagen Golf 7 dhe një Volkswagen Golf 8, si dhe konfiskimin e 2,325 eurove para të gatshme.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë”, përfundon njoftimi i Prokurorisë.