Prokuroria Themelore në Gjakovë, këtë të premte ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.J nga komuna e Gjakovës i cili dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme e ka kërcënuar dhe e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të njëjtit ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria njofton se, nga  17 deri më 21 gusht 2022, në Komunën e Gjakovës, konkretisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri A.J., në mënyrë të vazhdueshme e sulmon fizikisht të dëmtuarën, bashkëshorten së tij S.J”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Në njoftim thuhet, se i dyshuari e kishte goditur me rrip dhe me duar në pjesë të ndryshme të trupit.

“Për gjatë katër ditëve, i njëjti, me dashje i shkakton lëndime trupore te dëmtuarës, bashkëshortes se tij, ku pas mosmarrëveshjeve paraprake që kishin mes vete, fillon qe ta sulmon te dëmtuarën duke e goditur me rrip dhe me duar në pjesë të ndryshme të trupit, po ashtu, ditëve në vijim, i pandehuri përdor forcën dhe e sulmon fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me shuplakë në kokë, në fytyrë, si dhe, e godet me rrip në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në komunikatën.

Po ashtu, sipas prokurorisë, i pandehuri me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit e ka kërcënuar bashkëshorten e tij me anë të armës, duke i thënë “Ka me të vra”.

“Gjithashtu, në muajin korrik të vitit 2021, i pandehuri me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, seriozisht e kanos me fjalë dhe me armë të dëmtuarën, bashkëshorten e tij S.J., ku si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishin në mes vete i pandehuri nxjerr nga sirtari i dollapit të dhomës të fjetjes armën dhe e kanos të dëmtuarën duke i thënë “ Ka me t ‘vra”, me ç ‘rast me veprimet e tij, i pandehur tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj”, thuhet në njoftim.

Arma me të cilën është kanosur e dëmtuara, sipas prokuorisë është sekuestruar, po ashtu, në departamentin për krime të rënda, është ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.J., për shkak të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1, të KPRK-së.