Aktakuzë ndaj pesë personave për zjarrin në “Gate Club”, dëmi afro 1 milion euro

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, të dyshuar për përfshirje në zjarrin që përfshiu diskotekën “Gate Club” në shkurt të vitit 2025.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit SH.T. dhe F.S. akuzohen për veprën penale “Zjarrvënia”, ndërsa B.H., I.M. dhe RR.A. për “Shtytje nga zjarrvënia”. Ndaj F.S. rëndon edhe akuza për “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, më 14 shkurt 2025, rreth orës 04:53, në rrugën “Epiri”, në zonën industriale Prishtinë-Fushë Kosovë, SH.T. dhe F.S., në bashkëkryerje dhe me dashje, i kanë vënë zjarrin objektit të “Gate Club”, pas shtytjes nga RR.A. dhe në këmbim të një shpërblimi prej 3 mijë eurosh.

“Si pasojë e këtij veprimi, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material në vlerë prej 969.435 euro”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokuroria thotë se hetimet kanë zbuluar edhe një rast tjetër të lidhur me hakmarrje. Në periudhën nga shtatori deri më 16 nëntor 2025, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, B.H. dhe I.M., në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kanë shtyrë një person ende të paidentifikuar për kryerjen e një vepre penale kundër pasurisë së të dëmtuarit S.S.

“Sipas aktakuzës, qëllimi i këtij veprimi ka qenë hakmarrja, pasi të pandehurit konsideronin se F.S. dhe SH.T. ishin arrestuar si rezultat i veprimeve të dëmtuarit S.S.”, thuhet në njoftim.

Personi i shtyrë, sipas Prokurorisë, e ka realizuar veprimin duke i vënë zjarrin automjetit “Range Rover” të S.S., me ç’rast është shkaktuar dëm material në vlerë prej 54.892,72 eurosh.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe t’i dënojë sipas legjislacionit në fuqi.

Të fundit nga rubrika