Aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve të “Ambientit” në Pejë – për dy vjet shpërblyen vetën me bonuse pa leje
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve të ndërmarrjes publike “Ambienti”, me inicialet A.M., I.B., F.A., Sh.G. dhe N.A., për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe deklarim të rremë nën betim. Sipas aktakuzës, në periudhën nga viti 2020 deri në fund të […]
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve të ndërmarrjes publike “Ambienti”, me inicialet A.M., I.B., F.A., Sh.G. dhe N.A., për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe deklarim të rremë nën betim.
Sipas aktakuzës, në periudhën nga viti 2020 deri në fund të vitit 2022, të pandehurit në cilësinë e anëtarëve të bordit dhe drejtues të “Ambientit”, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit personal.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se, A.M., si kryesues i Bordit të Drejtorëve, I.B., F.A., Sh.G., si anëtarë të bordit, dhe N.A., si kryeshef ekzekutiv dhe njëherësh anëtar bordi, kanë marrë vendim për t’i ndarë vetes bonuse, pa vendim të aksionarit dhe pa bazë ligjore.
Gjithashtu, A.M. akuzohet veçmas për veprat penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme, deklarimit të rremë nën betim dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, në rastet e paraqitura në Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (KPRK).
Ndërsa N.A., si kryeshef ekzekutiv, akuzohet se ka punësuar në mënyrë të kundërligjshme më shumë se tetë persona, duke shkelur dispozitat ligjore dhe duke vepruar në konflikt interesi.
Aktakuza përmban gjithsej 79 faqe, dhe prokurori i çështjes ka kërkuar që të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.















