Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj N.S., për shkak të veprës penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”.
Sipas aktakuzës, më 23 korrik 2026, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, i pandehuri N.S. ka drejtuar automjetin pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit, ku ka shkaktuar një aksident trafiku.
“Derisa ishte duke lëvizur në krahun dhe shiritin e kundërt të rrugës, ka goditur një automjet që ishte duke lëvizur në drejtimin e rregullt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën pasagjerja M.V., ndërsa tre pasagjerë të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Po ashtu, janë shkaktuar dëme materiale në automjete dhe në mbrojtëset e rrugës.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën penale dhe t’i shqiptojë dënim meritor, në përputhje me ligjin.