Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe ndaj një personi tjetër për mashtrim në prokurim publik.

Të pandehurit Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S. dhe B.J. akuzohen se më 4 gusht 2022, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e ofertave në tenderin “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës së Prizrenit”, kanë shkelur detyrat zyrtare duke favorizuar operatorët ekonomikë “P.C.G. Sh.P.K” dhe “A.-T. Sh.P.K”.

Sipas aktakuzës, ata kanë mundësuar lidhjen e kontratës në vlerë prej 550 mijë eurosh me këta operatorë, ndonëse pesë kompani të tjera kishin ofruar çmime më të ulëta, përfshirë një ofertë me çmim prej vetëm 202.771 euro.

Në këtë rast, Prokuroria thotë se i akuzuari S.V., menaxher i kontratës, L.S., mbikëqyrëse e brendshme dhe B.J., mbikëqyrës i jashtëm, kanë dështuar të veprojnë sipas ligjit të prokurimit, duke mos marrë asnjë masë për të parandaluar dëmin.

Ndërkohë, E.Sh., në cilësinë e drejtorit të administratës, dyshohet se ka ndikuar në manipulimin e çmimeve gjatë fazës së ofertimit.

Prokuroria ka theksuar se hetimet kanë identifikuar keqmenaxhim dhe ndërhyrje të qëllimshme në procesin e prokurimit publik, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal.