Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për vepra të ndryshme penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe prokurimin publik.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023, si dhe gjatë periudhës nga 18 shtatori deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.
Sipas Prokurorisë, B.Sh. dhe A.G. kanë krijuar mundësi, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, që subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E” t’i jepet tenderi për “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Eko Regjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh.
Prokuroria pretendon se nga këto veprime buxhetit të KRM “Eko Regjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.
Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”.
Sipas aktakuzës, R.Z. u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve të kundërligjshme dhe ndikimit në procesin e dhënies së tenderit.
Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, duke i përshtatur specifikat teknike të tenderit në mënyrë që të favorizohej subjekti juridik SH.P.K. “D.C & E”.
Rasti përfshin edhe akuzën për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa detajet lidhur me këtë vepër penale janë pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale.