Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, N.L dhe L.S, për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” dhe veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, si dhe ndaj personit juridik, operatorit ekonomik SH.P.K “Sallahu” për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, N.L, si menaxher i kontratës për mbikëqyrjen e punimeve për rehabilitimin e rrugës Pejë-Kuqishtë-Çakorr, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke i mundësuar L.S, pronarit të operatorit ekonomik “Sallahu” Sh.P.K, të miratojë pagesa të kundërligjshme.

Diferenca në mes të punëve të paguara dhe atyre të pranueshme është 196,234.21 euro, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës.

L.S, pronar i operatorit ekonomik “Sallahu” Sh.P.K, në cilësinë e punë kryesit për kontratën e prokurimit publik të datës 29.11.2021, nuk i ka zbatuar detyrimet e kontratës dhe ka kërkuar pagesa të kundërligjshme nga MMPHI, duke përfituar padrejtësisht shumën prej 196,234.21 euro.

“I pandehuri, L.S, pronar i operatorit ekonomik “Sallahu” Sh.P.K, sipas aktakuzës, në cilësinë e punë kryesit lidhur me kontratën nr. 054/2021 me nr. prokurimi MI-205-21-5465-5-1-1 të datës 29.11.2021, për rehabilitimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë-Çakorr, duke shkelur nenin 65 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, nuk i ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, kontratë kjo e lidhur mes operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K dhe autoritetit kontraktues MMPHI me datën 29.11.2021 dhe duke mos përfillur para masat e kësaj kontrate, me dashje dhe pa të drejtë me datën 05.05.2022, ka kërkuar nga MMPHI që ti paguhet shuma e parave, ku shuma e përfitimit të kundërligjshëm sipas plotësimit të ekspertizës së ekspertëve gjyqësor të datës 07.05.2024, është 196,234.21 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i çështjes ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u janë vënë në barrë.