Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”.
Të akuzuarit janë J.V., D.V., dhe I.D., të cilët përballen me akuza për “Rrezikimin e rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” në lidhje me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogram TNT në brendësi të kanalit.
Lënda shpërthyese u aktivizua përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit dhe shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm, rrezik për prodhimin e energjisë elektrike, dhe dëm ekonomik për ndërmarrjen “Ibër Lepenc” në vlerë prej 376,774.70 eurosh.
“Më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit. J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, thuhet në aktakuzë.
Dy të pandehurit J.V. dhe D.V. akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa I.D. po ashtu akuzohet për këtë vepër. Përveç kësaj, J.V. akuzohet edhe për spiunazh, pasi, si i rekrutuar në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, kishte mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara për t’i përdorur në aktivitete kundërligjore në Kosovë.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe partnerët evropianë.