Enver Sekiraqa ka nisur që t’i shijoj ditët e para në liri.

Të premten, Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka hequr atij masën e arrestit shtëpiak, duke ia zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Në aktvendimin e siguruar nga Televizioni Dukagjini, theksohet që Sekiraqa duhet të paraqitet në polici një herë në javë.

“I pandehuri Enver Sekiraqa, është i detyruar që të paraqitet çdo të hënë, në orën 09:00, në Stacionin Policor VERIU në Prishtinë. Kjo masë e paraqitjes në stacionin policor kundër të pandehurit do të llogaritet në kohëzgjatje prej dy muaj, duke filluar nga data 10.02.2024 deri më 10.04.2024”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Që nga 15 tetori i vitit 2021, Sekiraqa ndodhej në arrest shtëpiak. Në aktvendim, gjykata thekson se i pandehuri nuk e shkeli asnjëherë këtë masë.

Prandaj, sipas kryetarit të trupit gjykues, Agim Kuçi, u plotësuan kushtet që masa të ndryshoj.

“Deri në përpilimin e këtij Aktvendimi, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak. Duke e marrë për bazë faktin se tani i akuzuari gjendet nën masën e arrestit shtëpiak për më shumë se dy vite, dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim apo raport nga Policia e Kosovës se i njëjti në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, kjo gjykatë konsideron se edhe masa e paraqitjes në stacionin policor krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të zhvillohet pa vështirësi”, vijon aty.

Këtë vendim, Gjykata e mori pas kërkesës së avokates së Sekiraqës, Kosovare Kelmendi.

“Ju lus që me meritum të analizoni këtë propozim timin mëse të bazuar e të mbështetur…”, ka thënë Kosovare Kelmendi – Avokate e Enver Sekiraqës.

Prokurori Shpetim Peci e ka kundërshtuar këtë kërkesë në seancën e fundit. Sikur ai, kundër lirimit të Sekiraqës ka qenë edhe babai i policit të ndjerë, Triumf Riza, Shefqet Riza.

Në seancën e mbajtur në dhjetor të këtij viti, u vendos që të ftohen si dëshmitarë ish-polici Arben Selmanaj, si dhe Gjon Kçira.

Selmanaj u ftua me kërkesë të Prokurorisë, kurse Kçira me kërkesë të mbrojtjes.