Aktgjykimi i Apelit për Pjetër Shalën do të shpallet më 14 korrik
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se aktgjykimi i shkallës së dytë në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës do të shpallet të dielën, më 14 korrik 2025, në ora 11:30. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara. Pjetër Shala, më 16 korrik 2023, ishte […]
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se aktgjykimi i shkallës së dytë në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës do të shpallet të dielën, më 14 korrik 2025, në ora 11:30.
Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Pjetër Shala, më 16 korrik 2023, ishte shpallur fajtor për krime lufte – përkatësisht për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme – dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim. Më pas, më 2 shtator 2024, Mbrojtja e tij dorëzoi apel ndaj këtij vendimi.
Sipas Prokurorisë, krimet për të cilat Shala u shpall fajtor ndodhën ndërmjet 17 majit dhe 5 qershorit 1999, në Fabrikën e Metalit në Kukës, në Shqipërinë veriore. Aty, sipas pretendimeve, Shala së bashku me ushtarë, policë dhe roje të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, morën pjesë në ndalim arbitrar, torturë, trajtim çnjerëzor dhe vrasje të paligjshme të personave të dyshuar si bashkëpunëtorë të Serbisë ose kritikë të UÇK-së, të cilët nuk kishin rol aktiv në luftime.
Në aktakuzë thuhet se të ndaluarit në fabrikë ishin rregullisht keqtrajtuar – si fizikisht, përmes rrahjeve me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, përmes kërcënimeve me vdekje, poshtërimit, marrjes në pyetje dhe detyrimit për të dhënë informacione apo deklarata të pavullnetshme.
Prokuroria pretendon se Shala jo vetëm mori drejtpërdrejt pjesë në këto krime, por edhe dështoi të marrë masa për të parandaluar apo ndaluar trajtimin çnjerëzor ndaj të ndaluarve, duke ndihmuar ose inkurajuar kësisoj kryerjen e krimeve.
Në procesin gjyqësor morën pjesë edhe tetë viktima, të përfaqësuara nga një avokat.















