Tifo-grupi “Torcida” ka publikuar dokumentarin e titulluar “Liri për Trepçën”, përmes të cilit ka ngritur akuza të forta ndaj drejtuesve të klubit futbollistik Trepça, duke pretenduar për keqmenaxhim, mungesë transparence dhe probleme të shumta financiare.
Dokumentari sjell në vëmendje historinë e klubit, nga themelimi e deri te sukseset ndër vite, duke përfshirë edhe pamje arkivore që pasqyrojnë përkushtimin dhe dashurinë e tifozëve ndaj Trepçës.
Megjithatë, pjesa kryesore e videos fokusohet në situatën aktuale të klubit. Sipas “Torcidës”, Trepça po përballet me paga të papaguara për lojtarët, premtime të pambajtura dhe probleme të vazhdueshme organizative.
Në dokumentar rikujtohet edhe rënia nga Superliga në sezonin 2014/15, e cila cilësohet si një goditje e rëndë për qytetin. Edhe pse klubi u rikthye përkohësisht në elitë në vitin 2016, kjo periudhë nuk zgjati dhe Trepça ra sërish, duke lënë zhgënjim te tifozët.
Anëtarë të tifogrupit shprehen se situata ka tejkaluar kufijtë sportivë dhe është kthyer në çështje publike. Ata pretendojnë se klubi po menaxhohet nga një rreth i ngushtë dhe se mungesa e transparencës është bërë shqetësuese.
Po ashtu, në dokumentar përmenden edhe akuza për përfitime personale nga ana e drejtuesve aktualë, ndërsa theksohet se vonesat në paga dhe pakënaqësitë e lojtarëve janë bërë të shpeshta.
Në fund, “Torcida” u bën thirrje qytetarëve të Mitrovicës që t’i bashkohen kauzës së tyre, duke kërkuar reagim institucional dhe marrje përgjegjësie për gjendjen në klub.
