Në rastin ku është i akuzuar për krime lufte, Hashim Thaçi, nuk do të dalë para Gjykatës Speciale deri në janar të vitit të ardhshëm.

Por ai gjatë kësaj kohe do të merret me disa akuza të reja që së fundmi e njëjta gjykatë ia konfirmoi Thaçit, Hajredin Kuçit, Bashkim Smakajt, Fahri Fazliut e Isni Kilajt.

Këtë të diel në paraqitjen e tij të parë, ish-presidenti i Kosovës nuk u deklarua rreth fajësisë për akuzat për ndikim në dëshmitarë.

Megjithatë, ai dha një mesazh politik që lidhet me aktualitetin në Kosovë.

“E di se shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi. Presim drejtësi për çka edhe besojmë në drejtësi. Krejt papritmas para dy tre ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS-ja. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd”, ka deklauar Thaçi.

Thaçi, tutje ka kërkuar që të respektohen Kushtetuta e ligjet e Kosovës, duke rikujtuar se Dhomat e specializuara janë produkt i këtyre akteve juridike.

Në këtë seancë Thaçit i është lexuar aktakuza, e cila e ngarkon atë me akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Para trupit gjykues, në Hagë këtë të diel dolën edhe Bashkim Smakaj e Fadil Fazliu të cilët akuzohet për veprën penale të tentativës së pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Smakaj nuk u deklarua rreth fajësisë, derisa përmes mbrojtjes kërkoi lirimin me kusht nga paraburgimi, por gjykata refuzoi këtë kërkesë.

“Klienti im është i gatshëm që të ofroj një vlerë prej 5 mijë euro si garanci, të dorëzojë pasaportën e tij në Kosovë, t’i raportoj EULEX-it sipas rregullave që keni ju dhe t’i respektoj të gjitha kushtet e tjera që do t’i caktonte gjykata nëse do të merrej parasysh kjo kërkesë”, ka deklaruar Bas Martenes – Avokat i Smakajt.

Për dallim nga Thaçi e Smakaj, ish-pjesëtari i UÇK-së, Fahri Fazliu është deklaruar i pafajshëm për akuzat për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

“I pafajshëm. Kam biseduar me avokatin, ka një ore e diçka po unë jam i pafajshëm..deklarohem i pafajshëm.”, ka deklaruar Dek: Fahri Fazliu – I akuzuar

Edhe mbrojtja e Fazliut ka kërkuar që i njëjti të lirohet nga paraburgimi, duke ofruar një shumë parash si garanci, porse gjykata e refuzoi.

Gjatë së hënës para Dhomave të Specializuara për Kosovën do të dalin edhe Isni Kilaj e Hajredin Kuçi. Derisa të tjerët janë arrestuar javën e kaluar, por Thaçit që gjendet në paraburgim, Kuçit i është dërguar fletëthirrja për paraqitje në Hagë.