Alarm nga bizneset – Dhoma e Tregtisë kërkon pezullimin urgjent të liberalizimit të tregut të energjisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e cila është përfaqësuese e mbi 700 bizneseve të sektorëve të ndryshëm, ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.

Sipas tyre, ky proces sjellë pasoja të dëmshme për bizneset, konsumatorët dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës që nga fillimi e ka kundërshtuar këtë vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, duke i kërkuar që një proces i tillë të pezullohet menjëherë, pasi që vet ky institucion përballet me mungesë stafi të mjaftueshëm për mbikëqyrje efektive dhe dyshohet për ndikime të operatorit dominues”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Kjo dhomë e tregtisë thotë se bizneset, nuk kanë platformë publike për krahasimin e ofertave, e as qasje të drejtë në informata për kontrata dhe kushtet.

“Bizneset tona anëtare kanë njoftuar se aktualisht çmimi i energjisë që po ofrohet është mbi 200 % më i shtrenjtë. Andaj DhTIK është duke e realizuar peticionin për mbledhjen e nënshkrimeve nga të gjitha kompanitë që janë të listuara për të kaluar në treg të lirë të energjisë”.

Ata u kanë bërë thirrje të gjitha kompanive që ta nënshkruajnë peticionin e nisur nga ta.

Përpara hapjes së tregut të energjisë në Kosovë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, kërkon që fillimisht të përmbushen këto kushte: Përgatitje ligjore dhe udhëzime të qarta zbatimi, krijimi i konkurrencës reale në treg, mbikëqyrje efektive nga ZRRE, transparencë për konsumatorët, fazë kalimtare dhe e vullnetshme si dhe garanci për furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm.

Sipas Dhomës së Tregtisë e Industrisë nëse këto pika nuk përmbushen, hapja e tregut në formën aktuale përpos që tashmë, sipas tyre, ka vërtetuar paralajmërimin për rritje enorme të çmimit të energjisë, sjellë edhe humbje të stabilitetit financiar për bizneset dhe përfitime vetëm për operatorin.

“Asnjë shtet në Evropën Juglindore nuk e ka liberalizuar tregun e energjisë në mënyrë kaq të detyruar, të menjëhershme dhe pa faza kalimtare, siç po e kërkon aktualisht ZRRE në Kosovë për bizneset. Andaj, rekomandojmë që vendimi i ZRRE-së të pezullohet menjëherë dhe të rishikohet duke u bazuar në parimet e konkurrencës së ndershme, mbrojtjes së konsumatorit dhe përgatitjes ligjore dhe institucionale”, thuhet në komunikatën e Dhomës së Tregtisë e Industrisë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me këtë rast u bëjnë thirrje të gjitha kompanive që ta nënshkruajnë peticionin, i cili gjendet në vegëzën: https://shorturl.at/jTyKA ose ta kërkojnë në e-mailin: [email protected] dhe të njëjtin ta dërgojnë të plotësuar në adresën: [email protected]./Telegrafi

Shija e redaktorit

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Të fundit nga rubrika