Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e vendit, i cili do të jetë në fuqi gjatë gjithë ditës së sotme.
Sipas IHMK-së, nga ora 00:00 deri në orën 23:59 priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.
Instituti paralajmëron se kushtet atmosferike mund të shkaktojnë goditje të rrufesë me rrezik për jetën e njerëzve dhe kafshëve, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, si dhe probleme në sistemet e telekomunikacionit.
Po ashtu, ekziston rrezik për përmbytje të shpejta lokale në zonat ku reshjet do të jenë më intensive, si dhe për dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta. IHMK-ja vlerëson gjithashtu se shkarkimet atmosferike mund të rrisin rrezikun për shpërthimin e zjarreve.
Instituti u bën thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike apo objekteve metalike, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.
Po ashtu, rekomandohet mbrojtja e automjeteve dhe pronës nga breshëri dhe erërat e forta, ndërsa qytetarët ftohen të ndjekin njoftimet dhe udhëzimet e institucioneve përgjegjëse gjatë gjithë ditës.
Ky paralajmërim vjen pasi stuhitë e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme në disa komuna të Kosovës, përfshirë dëmtime në bujqësi, infrastrukturë dhe rrjetin energjetik.
