Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë dhe ngërçit lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar për pasoja serioze institucionale.
Majko ka vlerësuar se procesi për zgjedhjen e presidentit në Prishtinë po shndërrohet në një “lodër vetëvrasëse”, ndërsa situata aktuale politike, sipas tij, po e dëmton edhe mekanizmin e fundit për gjetjen e një rrugëdaljeje nga kriza.
Ai ka theksuar se ky mekanizëm lidhet me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, por ka ngritur shqetësimin se edhe procesi zgjedhor nuk po arrin të prodhojë zgjidhjen e nevojshme politike.
“Votuesit kanë ‘ngrirë’ rezultatet dhe krizën e mosmarrëveshjes! Në kutinë e votimit, Kosova po mbetet jetime!”, ka shkruar Majko.
Ish-kryeministri shqiptar ka dhënë një paralajmërim të fortë për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë vazhdimi i bllokadës.
“Kosova rrezikon, seriozisht, të hyjë në paradhomën e shteteve të dështuar!”, ka deklaruar ai.
Sipas Majkos, shpresa për tejkalimin e situatës qëndron te heqja dorë nga logjika politike sipas së cilës dështimi i kundërshtarit shihet si zgjidhje.
“Errësira e vërtetë nuk është ajo që njohim, por bindja se drita nuk do të vijë!”, ka përfunduar Majko.