Albin Kurti përuron çerdhe në Skenderaj, sulmohet me vezë
Ky shirit i kuq e solli Albin Kurtin të martën sërish në Skenderaj. Por, sikur në tubimin e tensionuar gjatë fushatës zgjedhore në fund të muajit janar, kryeministri në detyrë njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk u mirëprit. Eskorta e tij, por edhe objekti i selisë së kësaj partie në Skenderaj janë sulmuar me vezë, […]
Ky shirit i kuq e solli Albin Kurtin të martën sërish në Skenderaj.
Por, sikur në tubimin e tensionuar gjatë fushatës zgjedhore në fund të muajit janar, kryeministri në detyrë njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk u mirëprit.
Eskorta e tij, por edhe objekti i selisë së kësaj partie në Skenderaj janë sulmuar me vezë, pasi Kurti përuroi një çerdhe në qytet, bashkë me kryetarin e komunës, Fadil Nura.
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
Ndërsa në pamjet që ka siguruar televizioni shihen disa persona duke hedhur vezët të drejtim të objektit.
Pas këtij veprimi ka reaguar asamblisti i Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili për sulmin e ka akuzuar nënkryetarin e komunës, Sami Lushtaku.
“Sulmet e Sami Lushtakut me vezë janë dëshmi që ju ka lagë baruti, po ashtu dëshmi e mendësisë primitive që udhëheq me PDK në Skënderaj e fatkeqësisht krejt PDK-në… Ide për zhvillimin e qytetit nuk kanë. Pronat për të vjedhur ju kanë harxhuar, po duan të fitojnë vëmendje me skandale”, deklaroi Mehani.
E këtij pretendimi iu kundërpërgjigj zëdhënësi i komunës së Skenderajt. Ai i ka thënë televizionit se ato janë shpifje të ulëta.
“Ata që e kanë pritë trefishimin e votës së VV-së në Skenderaj e në fakt gati sa janë përgjysmuar në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021 nga dëshpërimi për shkak të mungesës së përkrahjes së qytetarëve në Skenderaj, e drejtojnë gishtin nga Sami Lushtaku për shkak të fuqisë politike dhe besimit qytetarë që e ka në Drenicë”, deklaroi Lushtaku.
Për këtë rast, Policia ka njoftuar se tre zyrtarë policorë të stacionit në Skenderaj janë suspenduar për 72 orë.
Ky institucion nuk ka treguar arsyen për këtë vendim, por siç merr vesh televizioni, ai është marrë pasi policët nuk kanë reaguar ndaj këtij incidenti.















