Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se deputetët e këtij subjekti politik nuk do të marrin pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.
Gjini ka thënë se ky vendim është marrë pas diskutimeve në mbledhjen e Kryesisë.
“Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet, e cila ka dalë”, tha ai.
Sipas Gjinit, vendi aktualisht ndodhet jashtë normës kushtetuese.
“Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetë ditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtë, e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetë ditësh tjetër prej atij tridhjetë ditëshit që ekziston bazë në interpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Gjini.
Ai tha se Aleanca kishte qenë e gatshme të merrte pjesë në seancë nëse ajo do të thirrej deri të shtunën.
“Dua me ju thënë që Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetë ditëshi i dytë. Kur e kemi kuptuar që nuk është thirrur as të shtunën, ne mendojmë që duhet me i dhënë një mesazh, duhet me treguar që nuk pranojmë me u fy kështu si institucion”, u shpreh ai.
Sipas tij, vendimi për të bojkotuar seancën është një mesazh për institucionet dhe qytetarët.
“Mendojmë që po fyehet Kuvendi, po fyehen deputetët, po fyehet Kosova, po fyehen qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, në këtë seancë nuk do të marrim pjesë. Ajo që e pret Kosovën është patjetër një referendum në Gjykatën Kushtetuese, të cilën duhet me e dakorduar me dy parti të tjera, të cilat, po i themi, që ende janë në opozitë. Nuk duhet të jemi gjallë në opozitë, ne nuk do të jemi, as parti të tjera nuk do të jemi, por deri sot janë në opozitë. Duhet të dakordohemi me ta edhe t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot përpos kësaj komunikim”, tha Gjini.
Kujtojmë se nesër është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, me fillim nga ora 11:00.
Në rendin e ditës është vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, ku parashihet procedimi për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.