Aleanca ka bërë të ditur se sonte ka zhvilluar mbledhjen e rregullt të Këshillit të Përgjithshëm, ku janë trajtuar zhvillimet politike në vend, konsolidimi i brendshëm organizativ, si dhe vendimi i pritshëm nga Gjykata Speciale në Hagë.
Gjatë pjesës së parë të mbledhjes, siç bëhet e ditur, Këshilli i Përgjithshëm ka shqyrtuar dhe miratuar raportin e punës së Kryesisë së Aleancës, duke vlerësuar angazhimin në terren dhe dinamikën e re të organizimit të strukturave të partisë.
Në prag të shpalljes së vendimit të nesërm nga Gjykata e Hagës, Këshilli i Përgjithshëm dhe të gjitha strukturat e Aleancës kanë shprehur bindjen e tyre në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Aleanca vlerëson se pastërtia e luftës tonë për liri është e padiskutueshme dhe e mbrojtur historikisht”, thuhet në njoftim.
Më tej, Aleanca ka deklaruar se pret vendim lirues për katër ish-krerët e UÇK-së.
“Prandaj, nesër, presim vendim lirues për katër udhëheqësit e UÇK-së”, thuhet në njoftim.
Në përfundim, Aleanca ka ritheksuar qëndrimin e saj se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.