Alexander Dugin ka folur rreth vdekjes të së bijes së tij, Darya Dugin, e cila raportohet të jetë vrarë pranë Moskës.

Ai ka thënë se vdekja e bijës së tij ishte akt terrorist nga regjimi nazist ukrainas duke shtuar se vajza e tij “u vra brutalisht para meje”, shkruan BBC.

Dugin është një ideolog i shquar ultra-nacionalist që besohet të jetë i afërt me presidentin rus.

Ai e ka përshkruar të bijën e tij si një grua të bukur dhe patriote.

“Ajo ishte një grua e bukur ortodokse, patriote, reportere e luftës dhe filozofe. Ne duam vetëm fitoren tonë”, ka thënë ai.

Alexander Dugin

Ndërkaq, Ukraina ka mohuar përfshirjen në vdekjen e Duginas.

Sipas mediave shtetërore, Darya Dugina vdiq pasi makina e saj shpërtheu në flakë derisa ajo po udhëtonte për në shtëpi.

Mendohet se objektivi i synuar i sulmit mund të ketë qenë babai i saj, filozofi rus Alexander Dugin, i njohur si “truri i Putinit”.

Vajza e filozofit, Darya Dugina, ishte vetë një gazetare e shquar që mbështeti me zë pushtimin e Ukrainës.

Në fillim të këtij viti ajo u sanksionua nga autoritetet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe , të cilët e akuzuan 30-vjeçaren se ka kontribuuar në “dezinformimin” në internet në lidhje me pushtimin e Rusisë.

Në maj, ajo e përshkroi luftën si një “përplasje qytetërimesh” dhe njëherësh, shprehu krenarinë për faktin se ajo dhe babai i saj ishin sanksionuar nga Perëndimi.

Alexander Dugin u sanksionua nga SHBA-të në 2015 për përfshirjen e tij të dyshuar në aneksimin rus të Krimesë.

Shkrimet e tij vlerësohen se kanë pasur një ndikim të thellë në botëkuptimin e Vladimir Putinit dhe ai konsiderohet të jetë arkitekti kryesor intelektual i ideologjisë ultra-nacionaliste të cilës i përmbahen shumë në Kremlin.

Për vite me radhë, Dugin i ka bërë thirrje Moskës që të afirmohet në mënyrë më agresive në skenën globale dhe ka mbështetur veprimet ushtarake ruse në Ukrainë.