Ceremonitë mortore për udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, do të nisin më 4 korrik në Teheran, ndërsa varrimi i tij do të bëhet më 9 korrik në qytetin e lindjes, Mashhad, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
Sipas njoftimeve zyrtare, ceremonitë e varrimit ishin planifikuar fillimisht për muajin mars, por u shtynë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm mes Iranit dhe aleancës SHBA-Izrael. Para varrimit përfundimtar, do të mbahen tri ditë homazhe në Teheran, duke filluar nga 4 korriku, si dhe një ceremoni shtesë në qytetin e shenjtë të Qomit më 7 korrik.
Khamenei, i cili ishte 86 vjeç, u vra në muajin shkurt gjatë një sulmi të përbashkët ajror të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj kompleksit të tij.
Ai udhëhoqi Republikën Islamike të Iranit për më shumë se tre dekada, duke marrë drejtimin e vendit në vitin 1989 pas vdekjes së themeluesit të revolucionit islamik, Ajatollah Ruhollah Khomeini. Gjatë sundimit të tij, Khamenei konsolidoi ndikimin e institucioneve ushtarake dhe strukturave paraushtarake të regjimit iranian.
Ndërkohë, pasardhësi i tij i mundshëm, Mojtaba Khamenei, ka qëndruar kryesisht larg vëmendjes publike që nga shpërthimi i luftës mes Iranit dhe aleancës SHBA-Izrael. Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi së fundmi se Mojtaba Khamenei po merr një rol më aktiv në drejtimin e vendit, ndërsa vazhdojnë kontaktet dhe negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit pas armëpushimit të 8 prillit.