Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka konfirmuar se deri tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar lidhur me zgjerimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale për rastin e faljes së borgjeve për ambalazhuesit e ujit.

Ai e bëri këtë deklaratë pas mbledhjes së Qeverisë, duke theksuar se informacionet e deritanishme janë bazuar në raportimet mediatike.

“Unë nuk kam asnjë informacion zyrtar. I tërë informacioni që e kemi është marrë nga mediat që jam edhe unë i përfshirë, pa pasur një qëndrim zyrtar nuk mund të deklarohem për këtë. Jam në dispozicion të drejtësisë dhe ligjit pa as një lloj hezitimi. Nuk kam ndonjë informacion zyrtar në zgjerimin e hetimeve. Nga ai informacion mund të jemi pjesë e hetimit, por zyrtarisht nuk ka”, ka thënë Aliu.

Sipas raportimeve të mediave, Prokuroria Speciale ka marrë një aktvendim për të zgjeruar hetimet lidhur me çështjen e ambalazhuesve të ujit, ku ministri Aliu është i pandehur.

Ai dyshohet se, në cilësinë e personit zyrtar gjatë periudhës 2021-2024, ka keqpërdorur pozitën e tij për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës. Sipas akuzave, ai ka qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj ministrie, Izedin Bytyqi dhe Naser Hafizi, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet për llogaritjen e borxheve.