Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka marrë pjesë në takim konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ka propozuar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen më 9 ose 16 shkurt 2025.

Kusari në një postim në Facebook, ka thënë se në cilësinë e kryetares së Alternativës, ishte e ftuar sot në takimin me kryetarët e subjekteve parlamentare nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani-Sadriu, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë.

Ajo ka theksuar se ky diskutim ka një rëndësi të veçantë për shtetin tonë të ri, pasi është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë që legjislatura e tetë bashkë me ekzekutivin e përmbyllin një mandat të plotë qeverisës.

Ajo ka thënë se “gjithashtu, në cilësinë e anëtares së koalicionit qeverisës, e ritheksova gatishmërinë tonë të mëhershme për zgjedhje të parakohshme, nëse do të ketë gatishmëri dhe unitet të plotë nga opozita, gjë që nuk u dëshmua se u arrit nga ta”.

“Ndërsa, sa i përket datës së zgjedhjeve të rregullta, deklarova se tradicionalisht, muaji janar, si muaji më i ngarkuar i vitit pas festave të fundvitit, nuk është i përshtatshëm. Rrjedhimisht, datat 9 ose 16 shkurt, do të mund të ishin shumë më të favorshme për mbarëvajtje të fushatës parazgjedhore dhe procesit zgjedhor”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila ka thënë se alternativa mbetet e përkushtuar në avancimin e agjendës liberale progresive dhe dinamizimin e agjendës zhvillimore të shtetit.