“Ne jemi në një krizë tani. Ne jemi shumë të fokusuar në këtë krizë; ne besojmë se kjo qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare, duke pasur parasysh krizën që duhet trajtuar këtu”.

Kështu ka deklaruar Zëdhënësja e ambasadës amerikane, Katherine Judd për RTV Dukagjini.

Sipas Judd, nuk  ka ndonjë arsye pse ndonjë ministri nuk do të mund t’i jepej viza për të marrë pjesë në ndonjë takim zyrtar.

“Nuk shohim rrethana për të cilat qeveria e Shteteve të Bashkuara do të ishte e vështirë t’i jepte vizë një ministri në qeverinë e Kosova. Nuk mund të flas për raste specifike dhe individuale të vizave, por nuk jam në dijeni të ndonjë rrethane ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për të marrë vizë për takime zyrtare”, ka deklaruar Judd.

Të martën, qarkulluan raportime se vizita e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ishte anuluar nga ana e SHBA-ve.

Mirëpo, e njëjta mohoi lajmet e tilla duke thënë se një riaranzhim i vizitës ishte bërë si shkak i situates në veri të Kosovës, aty ku serbët kanë bojkotuar institucionet.

Lidhur me pretendimet se vizita të tilla ishin anuluar nga ana e SHBA-së kishte pasur edhe për vizitën e Ministrit Krasniqi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Elbert Krasniqi, ka thënë në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin, se nuk është e vërtetë që atij i është anuluar vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas tij, një gjë të tillë e ka kërkuar vetë ai.

Krasniqi ka theksuar se me datën 7 ka dërguar një kërkesë, me anë të së cilës, ka kërkuar që kjo vizitë të shtyhet, pasi kjo, sipas tij, është më e drejtë.

“Me fillimin e kësaj jave me datën 7, kemi kërkuar që kjo vizitë të shtyhet për në pranverë, sepse kam besuar që është më mirë të jem këtu në një situatë që kemi dorëheqje të katër komunave në veri. Kemi kërkuar që vizita të shtyhet sepse kam besuar që kështu është më e drejtë”, ka thënë Krasniqi.