Ambasada amerikane në Bagdad sulmohet me raketa

“Ne i bëjmë përsëri thirrje Qeverisë së Irakut, siç kemi bërë në disa raste, që të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur personelin dhe objektet e partnerëve diplomatikë dhe të koalicionit”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës

FOTO:AP

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Bagdad është sulmuar me dy breshëri raketash mëngjesin e së premtes, të cilat nuk kanë shkaktuar viktima, ka njoftuar një zëdhënës i Ambasadës.

Sulmi besohet të jetë kryer nga militantët e lidhur me Iranin në Irak, ka thënë zëdhënësi.

Asnjë grup nuk e ka marrë menjëherë përgjegjësinë, raporton Reuters.

Ky ishte sulmi i parë i raportuar me raketa kundër Ambasadës, që kur një rrjet grupesh militante të myslimanëve shiitë, të lidhura me Iranin, nisën sulme kundër forcave amerikane në baza ushtarake në Irak dhe në Sirinë fqinje në mesin e tetorit.

Grupet e armatosura, të cilat operojnë nën flamurin e Rezistencës Islamike në Irak, i kanë lidhur më shumë se 70 sulme të tilla me mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin në luftën e tij shkatërruese në Gazë.

“Ne i bëjmë përsëri thirrje Qeverisë së Irakut, siç kemi bërë në disa raste, që të bëjë gjithçka që mundet për ta mbrojtur personelin dhe objektet e partnerëve diplomatikë dhe të koalicionit”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.

Shpërthimet u dëgjuan afër Ambasadës, në qendër të kryeqytetit të Irakut, rreth orës 4 të mëngjesit të së premtes. U aktivizuan edhe sirenat që u bënin thirrje njerëzve të zinin vende të sigurta, sipas videove nga vendi i ngjarjes, të publikuara në mediat sociale.

Përveç stafit diplomatik në Irak, Shtetet e Bashkuara kanë edhe rreth 2.500 trupa në vend, në një mision që ato thonë se ka për synim të këshillojnë dhe t’u ndihmojnë forcave vendëse, që po përpiqen të parandalojnë një ringjallje të grupit Shteti Islamik, i cili më 2014 mori nën kontroll pjesë të mëdha të Irakut dhe të Sirisë, para se të mposhtej.

“Ne përsërisim se kemi të drejtë të vetëmbrohemi dhe të mbrojmë personelin tonë kudo në botë”, është shprehur zëdhënësi.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika