Ambasada amerikane: Pavarësisht sfidave në marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën, mbështetja mbetet e palëkundur

"Siç theksoi Escobar, ndërsa kemi disa sfida në marrëdhëniet tona dypalëshe tani, mbështetja jonë për popullin e Kosovës është e palëkundur”, thuhet në postimin e ambasadës

Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë një përmbledhje të shkurtë të vizitës së të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili ishte më 13 dhe 14 mars në Kosovë.

Ambasada teksa ka publikuar fotografitë gjatë vizitës së tij me liderët e Kosovës, opozitën, shoqërinë civile e përfaqësuesit e mediave “për të mbështetur çuarjen përpara disa çështjeve urgjente” ka theksuar edhe një herë mbështetjen për Kosovën.

“Siç theksoi Escobar, ndërsa kemi disa sfida në marrëdhëniet tona dypalëshe tani, mbështetja jonë për popullin e Kosovës është e palëkundur”, thuhet në postimin e ambasadës.

Ndryshe, dje, emisari amerikan, Escobar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë (REL) ka thënë se ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes (VV).

Ai ka theksuar se zhgënjimi nuk është vetëm në Washington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris.

“Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”, ka deklaruar ai.

Escobar e ka përshëndetur vendimin për tokat e Manastirit të Deçanit, por ka theksuar se një nga kushtet vijuese për anëtarësim në KiE është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Përveç Asociacionit, kusht tjetër për anëtarësim, sipas Escobar, është çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës.

“E po, shikoni, është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin, megjithëse pjesërisht është, por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Dhe, kështu që duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë.

Tutje Escobar, ka deklaruar se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Escobar, megjithatë, ka thënë se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika