Liridon Masurica u ekstradua më 9 maj nga autoritetet kosovare, pas një akuze për komplot për të kryer mashtrime me pajisjet e aksesit. 33-vjeçari Masurica u mor në paraburgim na autoritetet në Kosovë, më 12 dhjetor, për t’u ekstraduar më pas në SHBA, aty edhe ku do të përballet me Gjykatën e Floridës.

Lidhur me ekstradimin e tij, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka përshëndetur bashkëpunimin e lartë dhe efektiv të organeve.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada citoi Prokurorin e SHBA-ve për Qarkun e Mesëm të Floridës, Gregory W. Kehoe, i cili bëri të ditur se Masurica, 33 vjeç nga Gjilani, është akuzuar për një komplot për të kryer mashtrim përmes pajisjeve të aksesit, si dhe për pesë akuza të tjera për përdorim mashtrues të të paktën 15 pajisjeve të aksesit të paautorizuar. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai mund të dënonet deri në 55 vite burg federal.

“Bashkëpunim dhe koordinim i shkëlqyer midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, sipas Traktatit tonë të Ekstradimit. Një i pandehur është ekstraduar me sukses në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me drejtësinë me akuzat për viktimizimin e qytetarëve amerikanë.Jemi mirënjohës ndaj autoriteteve të Kosovës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Kjo përpjekje e përbashkët përmirëson sigurinë publike dhe i bën të dy kombet tona më të sigurta”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Zyra e prokurorit të shtetit, në distriktin e Floridës, dha dje detaje mbi padinë e ngritur ndaj Masuricës.

Sipas padisë, Masurica ishte administratori kryesor i BlackDB.cc—një treg kriminal online në veprim nga viti 2018 deri më sot. BlackDB.cc ofroi në mënyrë të paligjshme për shitje kredencialet e llogarisë dhe serverit të kompromentuar, informacionin e kartës së kreditit dhe informacione të tjera personale të identifikueshme të individëve të vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë ata që ndodhen brenda qarkut të mesëm të Floridës.

Pasi bliheshin, kriminelët kibernetikë përdornin artikujt e blerë në BlackDB.cc për të lehtësuar një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, përfshirë mashtrimin tatimor, mashtrimin me kartat e kreditit dhe vjedhjen e identitetit.