Ambasada e Republikës së Kosovës në Mal të Zi ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në pikat kufitare Debeli Brijeg dhe Kobila, si dhe me Qendrën Koordinuese të Policisë Kufitare të Malit të Zi, për të monitoruar situatën dhe për t’i informuar qytetarët mbi gjendjen në kufi.
Sipas njoftimit, procedurat kufitare në anën e Malit të Zi në të dyja pikat kufitare zgjasin aktualisht rreth 30 deri në 35 minuta, ndërsa autoritetet malazeze po ndërmarrin masa për përpunimin sa më të shpejtë të udhëtarëve dhe lehtësimin e qarkullimit.
Megjithatë, situata mbetet e rënduar në drejtimin nga Kroacia për në Mal të Zi, ku janë krijuar kolona të gjata automjetesh në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Karasovići–Debeli Brijeg dhe Vitaljina–Kobila.
Sipas autoriteteve kroate, pritjet në territorin e Kroacisë mund të zgjasin disa orë për shkak të fluksit të madh të automjeteve, kapaciteteve të kufizuara rrugore dhe procedurave kufitare.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë nga Kroacia drejt Malit të Zi të kontrollojnë gjendjen e trafikut dhe të pikave kufitare para nisjes, të planifikojnë kohë shtesë për udhëtim dhe të sigurohen që të kenë ujë dhe furnizime të mjaftueshme, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta.
Në fund, Ambasada e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë në kontakt me autoritetet malazeze dhe do t’i informojë qytetarët për çdo ndryshim të rëndësishëm të situatës.